Connect with us

Kampionati Shqiptar

Partizani-Luftëtari, sfida që starton fazën e katërt

Partizani u ka dhënë fund përgatitjeve ditën e djeshme në prag të takimit ndaj Luftëtarit, i vlefshëm për javën e 28-të të Kategorisë Superiore. Seanca e fundit u zhvillua në orën 14:00, si zakonisht, në kompleksin sportiv “Internacional Tirana”, të Pezës. Trajneri Sulejman Starova ka testuar për të fundit herë gjendjen e grupit, ndërsa seanca ka qenë e fokusuar më shumë në aspektin tekniko-taktik. Trashi dhe Torassa do të jenë dy mungesat e konfirmuara për sfidën ndaj bluzinjve, sepse kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Në përfundim të përgatitjeve, skuadra e kuqe i është drejtuar rezidencës së saj, hotel “Vila Park”, ku ka kaluar natën e mbrëmshme dhe do të qëndrojë deri në momentin kur do t’i drejtohet stadiumit “Seman Stërmasi”.

Ballafaqimi mes Partizanit dhe Luftëtarit do të luhet sot, në orën 19:00. Kujtojmë se “demat” bashkëkryesojnë me Kukësin, me nga 55 pikë secili, ndërsa Luftëtari duket se ka siguruar mbijetesën dhe ia ka vënë syrin vendin të katërt, me shpresën se mund të “pikojë” diçka për Kupat e Europës. Ndeshja e fundit mes këtyre dy skuadrave, e luajtur në Gjirokastër, përfundoi me rezultatin 2-0 në favor të bluzinjve. Ajo ka qenë edhe humbja e fundit e skuadrës së Starovës, që e vlerëson shumë kundërshtarin e sotëm, në startin e fazës së katërt të kampionatit.

Title

Më shumë nga Kampionati Shqiptar