• KOKSH dënon dhunën te basketbolli, Bezhani: Stop huliganizmit

    Publikuar: 7 Pri 3:30

    Për incidentin e rëndë të ndodhur dje në mbrëmje në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ku pati përplasje fizike mes tifozëve të Tiranës dhe Vllaznisë, ka reaguar sot edhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. “Incidenti i ndodhur mbrëmjen e së enjtes në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në ndeshjen e basketbollit mes Tiranës dhe Vllaznisë është një tjetër shfaqje e rëndë e huliganizmit në sportin shqiptar. Një ngjarje e dënueshme dhe që për asnjë arsye nuk duhej të ndodhë në asnjë ambient sportiv shqiptar. Tifozë, dashamirës apo sportdashës, ju duhet të përçoni vlera të një tifozerie të shëndoshë dhe jo vlera të huliganizimit. Ato nuk kanë vend në sport. Ju vini në pallatin e sportit për t’u argëtuar dhe shijuar emocionet që dhuron sporti dhe jo të përdhosni vlerat e tij. Askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë gjë, sportist, drejtues e aq me tëpër një tifoz apo tifozeri”, thotë Bezhani në deklaratën e tij.

    Nga incidenti i djeshem ne “Asllan Rusi”

    Më tej, numri 1 i olimpizmit shqiptar shprehet se sporti është festë dhe argëtim, ndaj kërkon marrjen e masave. “Sporti mbi të gjitha është “Fair Play”, si në fushë ashtu dhe në shkallët e çdo ambienti sportiv. Ai organizohet edhe për të argëtuar tifozët, ndaj ata duhet të janë pjesë e tij, ta përkrahin dhe shijojnë atë e kurrsesi nuk duhet të shfaqin skena të tilla dhune. Incidenti i fundit është një ngjarje e dënueshme, që nuk duhet të gjejë vend në sportin shqiptar dhe të gjithë duhet të ngremë zërin për të dënuar fajtorët dhe për të marrë masat që skena të tilla të mos përsëriten më. Edhe KOKSH dënon me forcë ngjarjen e rëndë që ndodhi në pallatin e sportit dhe fton palët të distancohen nga dhuna e skena të tilla të shëmtuara, duke kërkuar bashkëpunim mes të gjithëve që sporti i bukur dhe i ndershëm të arrijë të përcjellë vlerat e tij”, tha Bezhani.


    Lexo postimet e tjera