• Europiani i shtangës, Krenar Shoraj i gjashti në peshën 85kg

    Publikuar: 7 Pri 5:46

    Vijon në Split të Kroacisë Kampionati Europian i Peshëngritjes për të rritur dhe në garë kanë qenë sot edhe dy shtangistët kuqezinj të peshës 85kg. Në Baterinë B të kësaj peshe kanë garuar Krenar Shoraj dhe Ermand Tabaku.

    Shoraj ka bërë një paraqitje të mirë, duke u renditur në vendin e gjashtë në dygarësh, duke ngritur në total 348kg dhe la pas mjaft shtangistë të Baterisë A. Në stilin e shkëputjes, Krenar Shoraj i realizoi me sukses të trija provat, duke ngritur me sukses fillimisht  145kg, në pas 150kg dhe në fund 156kg, duke e mbyllur garën në vendin e 8-të. Ndërsa në shtytje, shtangisti kuqezi realizoi me sukses provën e parë me 186kg, dështoi në të dytën me 191kg, ndërsa në provën e tretë ngriti 192kg dhe u rendit i shtati.

    Peshengritesi Ermand Tabaku (majtas) me trajnerin Sokol Bishanaku

    Tabaku bëri një garë më të dobët se e patriotit të tij, teksa në shkëputje u rendit në vendin e 16-të. Ai arrin të ngrejë shtangën vetëm në provën e parë, kur realizon me sukses 143kg, ndërsa në dy provat e tjera nuk arrin të realizojë fillimisht peshën 146kg dhe më pas atë 147kg. Në stilin e shtytjes, Ermand Tabaku realizoi me sukses provën e parë, ku ngriti 173kg, por më pas ngre edhe 176kg. Në përpjekje për të ngritur 178kg, ai dështon dhe e mbyll garën në këtë stil në vendin e 15-të. Në dygarësh, Tabaku renditet i 14-ti, me 319kg në total.


    Lexo postimet e tjera